Rreth IEKA-s
Adresa: Rr.Elbasanit,
Pall.EDIL-AL-IT
P.O Box 1437
Tirane, Shqiperi

Tel: +355 4 23 46 077
Cel: +355 68 20 63 069

Email: info@ieka.al
Historiku - Aktiviteti

Historiku - Aktiviteti

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) u krijua më datën 24 Nëntor 1997, me statusin e një shoqate profesionale jo fitimprurëse, që grupon profesionistët kontabël të pajisur me titullin "Auditues Ligjorë" të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre në praktikën publike në  mënyrë të pavarur  në statusin e personave  fizikë ose në përbërje të shoqërive audituese.

Në datën 24 nëntor 1997  në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve e cila bazuar në nenin 16 të Urdhëresës nr. 1 datë 02.10.1995 të Këshillit të Ministrave, zgjodhi Këshillin e parë Drejtues të Insitutit, Kryetar i të cilit u zgjodh prof. Baki Berberi.

Gjatë viteve të veprimtarisë së Institutit, Kryetarë të Këshillave Drejtues kanë qenë:
  1. Baki Berberi   24.11.1997 – 23.06.2006  (3 mandate)
  2. Romeo Mitri   02.05.2006 – 23.06.2006  (mandat pjesor)
  3. Diana Ylli       23.06.2006 – 28.09.2012  (2 mandate)
  4. Hysen Çela    28.09.2012 – 30.09.2019  (2 mandate)
  5. Eleonora Olli  01.10.2019 e në vazhdim  (1 mandat)
Insituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar u regjistrua si person juridik me vendimin nr. 3573 datë 16.10.1998 të Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Në vitin 1997, IEKA numëronte 56 audituesit e saj të parë, ndërsa sot, në vitin 2019, IEKA ka 219 Auditues Ligjor të regjistruar në regjistrin publik dhe 62 shoqëri auditimi.

Aktualisht, përbërja e anëtarëve të organizatës profesionale është si më poshtë:
  • 137 AL e ushtrojnë profesionin si persona fizikë, nga të cilët 82 femra dhe 55 meshkuj.
  • 82 Al janë të angazhuar në shoqëri auditimi, nga të cilët 44 femra dhe 38 meshkuj.

Që prej vitit 2001 në IEKA regjistrohen kandidatë të cilët përgatiten për të fituar titullin "Auditues Ligjor". Gjatë pesë viteve të fundit kanë kaluar me sukses provimet e aftësisë profesionale përkatësisht:
  • për vitin 2014 ......... 9 individë
  • për vitin 2015 ......... 14 individë
  • për vitin 2016 ......... 22 individë
  • për vitin 2017 ......... nuk janë realizuar provime
  • për vitin 2018 ......... 48 individë
  • për vitin 2019 …….. në proces

Historik i shkurtër

Hapat e para për krijimin e profesioneve të lira kontabël u hodhën në vitin 1994, kur për herë të parë  nisi të funksionojë shërbimi i auditimit të jashtëm në vendin tonë. Në po atë vit, u krye për herë të parë verifikimi i saktësisë së llogarive vjetore të shoqërive tregtare të sapokrijuara ose të transformuara, nga profesionistë kontabël, të pajisur me titullin Ekspert Kontabël i Autorizuar – në atë kohë “i përkohshëm”.

Historia e mëvonshme e profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar (i ndryshuar në ekspert kontabël i regjistruar dhe më vonë në auditues ligjor) është ngushtësisht e lidhur me ndryshimet dhe përmirësimet që i janë bërë gjatë këtyre viteve, ligjit për shoqëritë tregtare të vitit 1992. Në vitin 1995, në këtë ligj u përfshinë disa dispozita të veçanta, të cilat parashikuan për herë të parë detyrimin e entiteteve të biznesit (shoqërive tregtare aksionare dhe atyre me përgjegjësi të kufizuar) për kontrollin (auditimin) e pasqyrave financiare vjetore. Këto ndryshime i hapën rrugën hartimit të akteve nënligjore të cilat do të shërbenin si baza juridike për krijimin, zhvillimin dhe organizimin e profesionit të ri të Ekspertit Kontabël të Autorizuar, një profesion pothuaj i panjohur më parë.

Rregullimi fillestar i profesionit dhe i organizmit të tij profesional u bazua si në vetërrregullimin dhe në akte nën/ligjore të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1995, Këshilli i Ministrave miratoi Urdhëresën Nr.1, datë 2 tetor 1995, e cila në një dokument të vetëm përfshinte pjesën më të madhe të aspekteve që lidheshin me hyrjen në profesion, provimet e aftësisë profesionale, trajnimin, testimet, eksperiencën, e deri aspektet e rregullave të para të deontologjisë dhe etikës e sjelljes profesionale. Urdhëresa përmbante dispozita të caktuara që rregullonin detyrimin për auditimin ligjor të shoqërive tregtare, duke shkuar më tej, deri në përcaktimin e proçedurave dhe të standardeve të punës së audituesve.

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar u krijua në Nëntor 1997, mbështetur në urdhëresën e Këshillit të Ministrave Nr.1, të vitit 1995, të ndryshuar më pas më VKM 150/2000, të modikuar me VKM 626/2001, me statusin e një organizate profesionale jofitimprurëse, që gruponte të gjithë profesionistët kontabël të pajisur me titullin "Ekspert Kontabël i Autorizuar". Këta profesionistë filluan të ushtronin profesionin në praktikën publike në mënyrë të pavarur, si persona fizikë ose si ortakë me ose pa pjesëmarrje në kapitalin e shoqërive (firmave) të ekspertëve kontabël të autorizuar. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve në Nëntor 1997, zgjodhi Këshillin e parë Drejtues të Instiutit, Kryetar i të cilit u zgjodh Prof. Baki Berberi.

Në vitin 1996, falë  projektit të parë të asistencës teknike (1996 – 1998) Phare AL- 9404/015 “Reforma e Auditimit në Shqipëri”, u hartuan rekomandimet e para teknike, të njohura si proçedurat dhe standardet e para të auditimit, që u përdorën për disa vjet me radhë nga disa gjenerata të ekspertëve kontabël të autorizuar jo vetëm për kualifikimin dhe përgatitjen e tyre profesionale, por  gjithashtu si proçedura pune praktike për të kryer auditimin.

Në periudhën 1998 – 2000, organizmi profesional i ekspertëve kontabël të autorizuar përfitoi edhe nga një projekt tjetër i asistencës teknike të BE-së - Phare AL 97- 08 - D1 97- 01 “Reforma e Auditimit – Asistencë Teknike për Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, i cili u zbatua nga një konsorcium Franko Britanik i përbërë nga Institutet Franceze të profesionit të kontabilitetit dhe auditimit (CNCC & OEC) dhe Instituti i Kontabilistëve të Çertifikuar të Skocisë (ICAS)[1]. Në fokusin kryesor të asistencës ishte rritja profesionale e anëtarëve dhe përmirësimi i funksionimit të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Rekomandimet teknike të fazës së parë, u pasuan nga një paketë e re e procedurave të auditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SCAP)[2].

Periudha e parë zhvillimore e profesionit ka qenë një periudhë intensive përgatitje, trajnimi, dhe e testimit të kandidatëve, e shoqëruar me veprimtari intensive në drejtim të hartimit të procedurave të punës dhe me veprimtari sensibilizuese të aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm në vend. Në vitin 2000 Urdhëresa Nr.1 e Këshillit të Ministrave, për t`u sjellë në pajtim me kërkesat e Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë, u rishikua dhe rikonsiderua, me objektiv transformimin e saj në një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM Nr. 150 datë 31.03.2000). Amendimet që ju bënë urdhëresës së KM diktoheshin nga zhvillimet në këtë fushë, ku mund të përmendim liberalizimin e shërbimeve të auditimit ligjor edhe për shoqëritë audituese të huaja, që imponohej nga nënshkrimi prej Shqipërisë i marrëveshjes me Organizatën Botërore të Tregtisë për liberalizimin e shërbimeve dhe të tarifave. Ndryshimet përfshinë për herë të parë detyrimin për praktikën profesionale (stazhin) për kandidatët që kërkonin të hynin në profesionin e audituesit ligjor. Për më shumë se një dekadë, ky vendim ka qenë baza kryesore rregullatore e auditimit ligjor, e funksionimit të profesionit të ekspertit kontabël dhe të organizimit të autoritetit kompetent të audituesve ligjore, Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar.

Krahas disa amendimeve në aktet e zbatueshme rregullatore (amendimi i VKM 150 në vitin 2001) ky proces zhvillimor, u pasua me veprimtari intensive të IEKA-s në drejtim të hartimit të rregullave dhe udhëzimeve specifike të funksionimit, të procedurave të punës së anëtarëve, dhe të trajnimit intensiv dhe ekstensiv të anëtarëve dhe kandidatëve për ekspert kontabël (auditues ligjor). Procedurat e auditimit, produkt i fazës së dytë të asistencës teknike të BE-së, në vitin 2003 u zëvëndësuan me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, të publikuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit e të Dhënies së Sigurisë i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), të cilat u përkthyen dhe publikuan në gjuhën shqipe nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) u ribotuan të përkthyera në gjuhën shqipe në janar të vitit 2007, duke përfshirë në një tekst të vetëm të gjithë paketën e standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe të direktivave të praktikave të auditimit të IFAC. Në vitin 2011 IEKA përktheu dhe publikoi në gjuhën shqipe të gjithë standardet ndërkombëtare të auditimit të qartësuara të IFAC-ut (edicionin 2010 të IAASB-së). Aktualisht IEKA në bashkëpunim me ShKCAK, Kosovë kanë të drejtën e përkthimit të të gjithë prononcimeve të auditimit në gjuhën shqipe.

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit 10091 datë 05.03.2009, bëri të mundur që për herë të parë rregullimi i profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar të bëhet në mënyrë ligjore. Një rregullim i tillë ishte më i plotë si për profesionin dhe organizmin profesional, ashtu edhe për auditimin ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve të biznesit. Gjithashtu, ligji i sipërpërmendur bëri rregullime edhe për  kategoritë e tjera të profesionit kontabël në vendin tonë.

IEKA vijoi me publikimin e literaturës së IFAC-ut ku mund të përmendim, aktualizimin e SNA-ve dhe SNA-të e reja, Udhëzuesin për përdorimin e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit në Auditimin e Entiteteve të Vogla dhe të Mesme – Vëllimi 1 dhe 2 – Botimi i Dytë dhe i Tretë, Standardet Ndërkombëtare të Auditimit mbi Raportimin e Audituesit të Pavarur – Botimi 2015, Kodi i Etikës 2014, etj.

Rruga në të cilin ka ecur profesioni i audituesit ligjor është një rrugë paralele dhe krah për krah si me ecurinë dhe zhvillimin e biznesit në vendin tonë, ashtu edhe me zhvillimet Evropiane e ato ndërkombëtare në fushën kontabël dhe të auditimit.

Në vitin 2016, Kuadri ligjor i profesionit (Nr.10091 datë 5.3.2009), u rishikua në kuadër të reformës për përmirësimin e raportimit financiar të shoqërive tregtare, e cila synon një përafrim më të madh të kuadrit rregullator me Acquis communautaire (Aki). Rekomandimet kryesore të Institucioneve ndërkombëtare e vendosin theksin kryesor në forcimin e pavarësisë dhe rishikimin e strukturës së Bordit të Mbikëqyrjes Publike, si edhe në përmirësimin e procesit të edukimit dhe përgatitjes së profesionistëve.

Me ndryshimet më të fundit në ligjin e auditimit (Ligji 46/2016) funksionimi i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar bazohet në një ligj modern, që vlerësohet pothuaj në pajtim të plotë me Direktivën e Auditimit Ligjor të BE-së.

Veprimtaria e Institutit, është tipike e një organizimi profesional që kombinon vetërregullimin profesional me rregullimin nga jashtë ose ndryshe me mbikëqyrjen nga autoritetet publike.

Organizimi i këtij profesioni bazohet në një paketë të plotë rregullash që janë hartuar në pajtueshmëri me direktivat dhe rregullimet e Bashkimit Evropian, e veçanërisht në pajtim me direktivën e Auditimit Ligjor të BE-së dhe Standardet teknike profesionale dhe etike të publikuara nga Bordet e Pavarura të IFAC. Përveç akteve ligjore e nënligjore të hartuara nga organizmat kombëtare ligjore e rregullatore, në rregullimet e brendshme është përfshirë edhe një seri tjetër e plotë e akteve të nevojshme vetërregullatore të përgatitura nga vetë organizmi profesional, ku mund të përmenden Kodi i Etikës; rregullorja dhe procedurat e kontrollit të cilësisë së angazhimeve, rregullorja e investigimit e disiplinës, rregullorja e edukimit dhe kualifikimit të vijueshëm, etj.

Në kornizën rregullatore të funksionimit të organizmit profesional të audituesve theksohet se objekti i veprimtarisë së tij është të sigurojë  mirë ushtrimin e profesionit, mbrojtjen e pavarësisë dhe të nderit të anëtarëve të tij, si dhe mbikëqyrjen dhe formimin profesional të anëtarëve, të gjitha këto në funksion të shërbimit cilësor ndaj interesit publik.

Në kuadër të veprimtarisë së vazhdueshme të Institutit, për të aktualizuar zhvillimet më të fundit në fushën e standardeve teknike profesionale dhe etike, që burojnë nga misioni dhe vizioni i tij dhe nga detyrimet e anëtarësisë në IFAC, me qëllim që të mbajë të informuar anëtarët e saj, IEKA ka ndjekur nga afër të gjitha ndryshimet e propozuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (IAASB), dhe ka përkthyer e rishikuar në gjuhën Shqipe publikimin e tij më të fundit, Manuali i Deklaratave Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë, Auditimit, Rishikimit, Sigurive të Tjera dhe Shërbimeve të Lidhura (volum i parë), botimi i vitit 2018. Aktualisht IEKA është në proces përkthimi të publikimit më të fundit, Manuali i Kodit Ndërkombëtar të Etikës për Profesionistët Kontabël, përfshirë Standardet Ndërkombëtare të Pavarësisë, Botimi 2018.

Që prej vitit 2008, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar është anëtar me të drejta të plota në IFAC, me detyrime dhe të drejta që burojnë nga ky anëtarësim i merituar. Ai bën përpjekje të vazhdueshme për të qenë në pajtueshmëri të plotë me të gjithë Deklaratat e Detyrimeve të Anëtarësisë të IFAC-ut (SMO- Statement Membership Obligations 1 -7), si përmes përmirësimit të rregullave të tij të brendshme, ashtu edhe duke influencuar tek aktorë të tjerë që kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike për të qenë në pajtim me SMO-të e IFAC-ut.


IEKA është pjesë përbërëse e organizmave ndërkombëtare dhe ka një përfaqësim të konsiderueshëm ndërkombëtar ku përmendet anëtarësia me të drejta të plota në:
  • IFAC    -  Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve
  • FIDEF  -  Federata e Ekspertëve Kontabël Frankofonë,
  • FCM    -   Federata e Ekspertëve Kontabël të Mesdheut
  • EFAA  - Federata Evropiane e Kontabilistëve dhe Audituesve të Entiteteve të Vogla dhe të Mesme
Mbajtja e nivelit të aftësive profesionale të anëtarëve dhe përmirësimi i mëtejshëm i tyre sigurohet veç të tjerash, përmes një procesi të kualifikimit të vijueshëm. Po kështu, përgatitja e audituesve të rinj kalon përmes kryerjes së një praktike profesionale pranë një audituesi apo një firme auditimi.

Në programin e edukimit profesional të kandidatëve përfshihen pothuaj të gjitha kërkesat e standardeve të Edukimit të IFAC (IES), ku bëjnë pjesë Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, Dhënies së Sigurisë, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, Standardet e Etikës Profesionale, etj.


[1] Institute of Certified Accountants of Scotland (ICAS) i themeluar ne vitin 1853, është organizmi më i vjetër i profesionit kontabël në botë.

[2] Small Company Audit Procedures- përgatitur në bashkëpunim me departamentin e edukimit të ICAS, Skoci.