Njoftime
Adresa: Rr.Elbasanit,
Pall.EDIL-AL-IT
P.O Box 1437
Tirane, Shqiperi

Tel: +355 4 23 46 077
Cel: +355 68 20 63 069

Email: info@ieka.al
Njoftime

IAASB ka miratuar standardet e reja të menaxhimit të cilësisë për audituesit

Bordi i Ndërkombëtar i Standardeve të Auditimit dhe Sigurisë ka miratuar standardet e reja dhe të rishikuara të menaxhimit të cilësisë  (më parë përdorej termi “kontrolli i cilësisë”), të cilat do të mund të përdoren nga audituesit në fund të vitit 2022.
Standardet Ndërkombëtare të Menaxhimit të Cilësisë (SNMC 1, SNMC 2) dhe Standardi Ndërkombëtar i Auditimit SNA 220 (i rishikuar) janë duke pritur miratimin nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, një grup ndërkombëtar rregullatorësh që mbikëqyrin Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve.
Paketa e standardeve ka për qëllim krijimin  e një sistemi më të fuqishëm të Menaxhimit të Cilësisë për firmat që përdorin standardet e IAASB-së dhe kjo shënon një evolucion nga qasja tradicionale, qasje më lineare për kontrollin e cilësisë. Standardet e reja do të adresojnë diferencat midis kontrollit të cilësisë dhe menaxhimit të cilësisë në shoqëritë audituese. Ato prezantojnë një qasje të fuqishme, të shkallëzuar dhe proaktive për menaxhimin e cilësisë së auditimit, e cila është thelbësore për t'i shërbyer interesit publik.

Përsa i përket SNMC 1, Bordi ka diskutuar rishikimin në disa pjesë, duke përfshirë procesin e vlerësimit të riskut të firmës, burimet, kërkesat etike, monitorimin dhe zhvillimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë. Gjithashtu Bordi ka diskutuar edhe komunikimet e jashtme, veçanërisht komunikimin më personat e ngarkuar me qeverisjen kur kryhet një auditim i pasqyrave financiare të një entiteti të listuar në bursë.

Objektivat e SNMC 1 janë:
  • Rritja e qëndrueshmërisë së sistemeve të kontrollit të cilësisë së firmës përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë:
    - Prezantimin e një qasje më të përshtatshme dhe proaktive për menaxhimin e cilësisë
    - Rritjen e përgjegjësive të udhëheqjes së firmës dhe përmirësimin e qeverisjes së firmës
    - Monitorimin më rigoroz të sistemeve të kontrollit të cilësisë dhe rregullimin më efektiv të mangësive.
  • Modernizimi i standardit përkundrejt një mjedisi në zhvillim dhe gjithnjë e më kompleks, duke përfshirë adresimin e ndikimit të teknologjisë, rrjeteve dhe përdorimit të siguruesve të jashtëm të shërbimeve
  • Përmirësimi i shkallëzueshmërisë së standardit
Ndërsa për SNMC 2, Bordi ka vendosur që standardi përfundimtar do të hyjë në fuqi më 15 dhjetor 2022.

Objektivat e SNMC 2 janë:
  • Vendosja e një kriteri më të fuqishëm për tu zbatuar nga firmat kur përcaktohet se cilat angazhime duhet të jenë subjekt i Kontrollit të Cilësisë
  • Vendosja e objektivit për kontrollin e cilësisë
  • Qartësimi i natyrës, kohës dhe shtrirjes së kontrollit të cilësisë
  • Rritjen e kërkesave për individët të cilët kryejnë kontrollin
Objektivat për rishikimin e SNA 220 janë:
  • Forcimi i aspekteve të menaxhimit për angazhimet individuale, duke u fokusuar në identifikimin, vlerësimin dhe përgjigjen ndaj rreziqeve të cilësisë përkundrejt rrethanave të ndryshme të angazhimit.
  • Propozimi i ndryshimeve të mëvonshme në standardet e tjera që rrjedhin si rezultat i rishikimit të SNA 220
  • Përcaktimi nëse udhëzimet jo-detyruese dhe mjetet mbështetëse duhet të zhvillohen nga IAASB ose nga të tjerët
Planet e IAASB-së janë që këto standarde të rishikuara të jenë të aksesueshme për audituesit në dhjetor të 2022.